November 21, 2024

Rreze dielli pashë – Adem Nuhaj

Rreze dielli pashë

Rruga gjarpëronte
Në faqen e malit
Bilbili këndonte
Mbi degën e prrallit.

Dhe nëpër livadhe
Lulet , kishin çelur
Bletët , si në valle
Mjaltin duke mbledhur.

Në gryka , në rrëza
Tutje , në të futur
Këndonte thëllëza
Me zêrin e bukur.

Gjethet , mbysnin udhën
Ti shkoje , nën hije
Për të njombur buzën
Tek burimi vije.

Mbi gjethet e rëna
Hidhje ato çapa
Fustani me mënga
Kapej , nëpër shkarpa.

Flladi , atij mali
Ty , të ledhatonte
Ç’të beja i vrari
Zëmra më gufonte.

Pyeta zogjtë , mbi honin
Mos të kishin parë
Ata , veç këndonin
S’thoshin asnjë fjalë.

Sorkadhet , nga dy
Vinin edhe venin
I pyeta për ty
Ato , veç kërcenin.

Vetë e mora udhën
Që , mbulonte pylli
Ti , po njombje buzën
Atje , tek burimi.

Ngriva , gur në vënd
Sa , në tokë nuk rashë
Kur , në syrin tënd
Rreze dielli pashë.

…….. Adem Nuhaj ……

Shpërndaje në facebook: