May 21, 2024

“Loti i nënës” – Ai loti nënës, që te syri mbeti. Ka kripur burimet, më shumë se sa deti..

Loti i nënës

Pse ky pragu lemës
Pse kaq shumë është kripur
Nga lotët e nënës
Që rri duke pritur.

Ai loti nënës
Që te syri mbeti
Ka kripur burimet
Më shumë se sa deti.

Loti përvëluar
Që del thellë nga zemra
Shkëmbin ka coptuar
Se ka zjarr nga brenda.

Pikon syri lot
Ai sy i bukur
Për bijtë nëpër botë
Që s’kanë më të dukur.

Ai lot i nënës
Kur zbret nëpër faqe
Eshtë loti i zemrës
Vjen erë manushaqe.

Loti del nga syri
Dhe natën në gjumë
Sa të vijë i biri
Do të bëhet lumë.

Lulet e baçesë
Sa shumë që janë rritur
Nga loti anesë
Dite e natë vaditur.

Ai loti nënës
Ka dhe rreze dielli
Ndrin si dritë e Hënës
Me ngjyra ylberi.

Qan syri te porta
Qan nëpër avlli
Qan kur shkon te sofra
S’gjenë asnjë njeri.

E ulur pranë vatrës
Ulur pranë qiririt
Shoqëri e darkës
Eshtë veç loti syrit.

… Adem Nuhaj …

Shpërndaje në facebook: