November 21, 2024

O moj bejka , piluriote – Adem Nuhaj

…O moj bejka, piluriote..

Ti , moj bejka piluriote
Moj dritë e hënës në male
Kudo , gjëndet gjurma jote
Nëpër brinja , nëpër stane.

Duke tundur shkon me nge
Moj bardhoshja nëpër male
Ìlaç për çobanin je
Ndaj të ngritëm festivale.

Kur , më shkon natën në brinjë
Moj bejka , syrin me pika
Atje , do ta zë pusin
Siç thoshte dhe Lefter Çipa.

Moj e bukura mbi shoqe
Ti je , lezeti i tëndës
Moj , ti bejka piluriote
U bëre simbol i këngës.

Bejkë e bardha , piluriote
Shtati yt , nure – nure
Si , me mjaltë , ti u brumose
Nëpër këngë e tinguj cule.

Në malet me trendelin
Ndriçon , si hënë në të dukur
Zjarr dhe flakë ma ndeze gjin
Kur , shkon dhe vjen duke tundur.

Në bashkën hedhur mbi supe
Aty , të është derdhur nuri
Gjithë natën , aty më fute
Dhe aty , gjumi më zuri.

O Pilur , sa të shkon kënga
E ngritur , në peidestalë
Janë mbledhur bijtë , tek nëna
Festojnë për bejkën e bardhë.

Bejkë e bardhë , si borë e malit
Sot je në vëndin e nderit
Je , një perl brënda thesarit
Të çoi pena e Lefterit.

Bejkë moj , shiko më tutje
Një faqe kuqe leshverdhë
Ajo është kuace kuqe
Po vjen , me furkë duke tjerë.

Përmbi lule , kur hedh këmbën
Më dukesh nuse zakoni
Lefteri të ngriti këngën
Të dy , sa kënga do rroni.

…….. Adem Nuhaj …….

Shpërndaje në facebook: