November 21, 2024

Mua më xhindoste – Adem Nuhaj

………. Mua më xhindoste ………

Shkonte jelek verdha
Si , sorkadhe mali
Baluket e prera
I binin tek balli.

Shkonte rrugës malit
S’di , se ku po vete
Fundi i fustanit
Vëzhdagë nëpër gjethe.

Dukej , si kunadhe
Në rrugët e ngushta
Si , bora në male
Ì zbardhonte gusha.

E pashë , kur më doli
Tutje , në lëndinë
Mëndjen seç ma mori
Kur , më hodhi synë.

Gjinjtë sikur i shkundëte
Kur , mbi lule lozte
Belin , kur e tundëte
Mua më xhindoste.

Flokun pjergull rrushi
Para , mbrapa hidhte
Më ndezi , si prushi
Trupin po ma digjte.

Rrihja dhe mendoja
Duke pirë cigarë
Miken e shikoja
Ç’të shihja më parë.

Si , i turbulluar
Ku ta hidhja synë
Mbi faqet lëmuar
Ah , të shihja gjinë.

Vëndi s’po më mbate
Trupi s’ish i imi
Kur sytë ajo lante
Poshtë tek burimi.

Haber i dërgova
Po të pret bandilli
Haberin ia çova
Me një këngë bilbili.

……….. Adem Nuhaj ……….

Shpërndaje në facebook: