November 21, 2024

Do vij, dal nga dal – Adem Nuhaj

……….. Do vij , dal nga dal ……….

Do të vij tek shtrati
Merak më ka ngelur
Kur të jetë gati
Sythi për të çelur.

Tek shtëpia tënde
Do vij , pa përtuar
Ku , ti fle si qëngje
Mbuluar pa mbuluar.

Por , nuk do nxitohem
Do vij , dal nga dal
Do pres , që të zgjohen
Dhe lulet në mal.

Do pres të buçasi
Kënga e bilbilit
Në të dalë Marsi
Nga mesi i Prillit.

Do lëvizë gjithë gurët
Sa , jam duke pritur
Sa , të gjithë drurët
Frutat t’i kenë lidhur.

Se , dhe dashuria
Si , pemë i ka ligjet
Çelet , si qershia
Por , do kohë të piqet.

Ndaj , kur të hyj Gushti
Do vij , të të mar
Kur , laroset rrushi
Varur në lastar.

Ashtu, si mjaltore
Frutat duke pjekur
Si , vapa verore
Zemrat tona ndezur.

Sa shumë , që u lodha
Një behar të tërë
Por , kur unë të mora
Si , mollë ishe bërë.

Si shegë pjekur faqet
Aromë , kundërmonin
Mos vall manushaqet
Mbi ty lulëzonin.

……… Adem Nuhaj ………

Shpërndaje në facebook: