November 21, 2024

Për të , nisa këngën – Adem Nuhaj

……… Për të , nisa këngën …….

Dëgjoj tek burimi
Në një degë qëndruar
Një këngë bilbili
Bukur , ligjëruar.

Tutje në korie
Një mullënjë sqepverdhë
Një thëllëzë në hije
Zërin , po e dredhë.

Fshehur nëpër ferra
Manushaqet çelur
Se , erdhi pranvera
Aromë lulesh derdhur.

Mbi barin e njomë
Në ato livadhe
Si , vala mbi Jon
Lozin dy sorkadhe.

Në brinjë , syri kapi
Një gërshetadredhur
Kish dal një vajzë fshati
Lule për të mbledhur.

Ç’e kishte bërë nëna
Hedhur , si selvia
S’po më ikte këmba
S’ngopesha ta shihja.

Fustani me pika
Përmbi gju i rrinte
Thashë do t’i zë prita
Ngado , që të ikte.

Thashë t’i zë pusinë
Në rrugët e pyllit
Dhe t’i mbushja gjinë
Me lulet e Prillit.

Për të , nisa këngën
Me fjalë të ëmbla
Dhe i hapa zëmrën
Që , të hynte brënda.

……….. Adem Nuhaj …………

Shpërndaje në facebook: