Më zuri një vesë prilli – Adem Nuhaj
………. Më zuri një vesë prilli ………
Më zuri një vesë prilli
U mbështeta tek një rrëzë
Mbi degë këndonte bilbili
Tutje lozte një thëllëzë.
Çelur lulet në livadhe
Vesa e prillit i lagëte
Thëllëza doli në valle
Bilbili këngën e qante.
U shërova nga gëzimi
Anë e mban me jeshillëk
Pylli me nur gjelbërimi
Burimi ujë me bollëk.
Fluturat , si dorë për dore
Fluturonin poshtë e lartë
Dhe ato bletët puntore
Mblidhnin nektarin për mjaltë.
Fshiva sytë , mos qeshë në ëndërr
Kur , tutje në brinja pashë
Po mblidhte shkarpa dhe mëndërr
Një flokëverdhë e bukur vashë.
Udhë e malit , pa kuptuar
E afroi , pruri tek shkëmbi
Kur , i pashë syrin e shkruar
U ngrita , luajta nga vëndi.
Faqet bërë , si shegë e pjekur
Gusha , dëbora në mal
Dhe gjoksi bukur ish hedhur
Jashtë i freskët , brënda zjarr.
Syri , kur i thashë dy llafe
Pikoi lotin qelibar
Dal nga dal rrodhi mbi faqe
Si , vesë e prillit mbi bar.
Mike , i thashë unë të dua
Fjalët s’t’i thashë kot së koti
Mos ki turp e frikë nga mua
Dashurinë e ka dhënë zoti.
………. Adem Nuhaj ………..