“Paja” – Pajën ta stolisi, nëna me mundime. Kur të vinte dita, ti sillje gëzime…
Pajën ta stolisi
Nëna me mundime
Kur të vinte dita
Ti sillje gëzime.
Të të bënte nuse
Me vello të bardhë
Në ball të të puthte
Të thosh, “udhë e mbarë”.
Por ti shkove larg
Nuk e di , se ku
Nëna pret në pragë
Rri si një kërcu.
Dhe thinjat e bardha
Vitet i tregojnë
Si malet e larta
Mbi sup i rëndojnë.
Ngrihet, shkon te paja
Mbetur në sepete
Me ligjet e saja
Fillon qan me vete.
Bijë, ku të kam
Se më dogji malli
Hajde më rri pranë
Se s’po më del xhani.
Se unë pajën tënde
Me lot e kam larë
Po bredh vende-vende
Për ty duke qarë.
Kjo paja e mirë
Mbeti në sepete
Sa kisha deshirë
Ta merrje me vete.
Pajën që të bëra
Mbushur me stolira
Tani po e laj
Me lotët e mia.
Tani skam me shpresë
Bijë të shikoj
Edhe kur të vdesë
Vaj, do ligjërojë.
… Adem Nuhaj…