November 21, 2024

Je vajzë shqipëtare – Trupin ta mbulonte, një fustan i hollë. Dhe ty të tregonte, lule përmbi mollē.

Je vajzë shqipëtare ….

Trupin ta mbulonte
Një fustan i hollë
Dhe ty të tregonte
Lule përmbi mollē.

Të ish hedhur shtati
Si shufër lajthie
Mos je nga Berati
A prej Peshkopie.

Faqet porsi molla
Dhe zërin e pastër
Mos je bijë nga Vlora
A në Mallakastër.

Buzët trëndafila
Të mbysin si deti
Mos je nga Këlcyra
Apo nga Përmeti.

Në ball dy nishane
Si margaritari
Mos vall je korcare
Apo nga Skrapari.

Thëllëz nëpër kodra
Flutur në lëndina
Mos je vall nga Shkodra
Apo nga Delvina.

Me këngë nëpër skena
Mjaltë nxjer nga goja
Je nga Tepelena
Apo nga Tropoja.

Cuditet dynjaja
Kur tundet fustani
Mos je nga Tirana
A nga Elbasani.

Shpirti , ” Syri Kaltër ”
C’të të bejë i mjeri
Rri në Gjirokastër?
Apo je nga Fieri.

Qëkur të takova
Vanë mëndë e mia
Mos je nga Kosova
A nga Camëria.

Kur të pikon loti
Si një vesë mëngjesi
Mos je nga Sopoti
A nga Pogradeci.

Si borë zbardhon gusha
Në fjalë , qëndron besa
Mos vall je nga Lushja
Apo je nga Lezha.

Bukuria jote
Si dardhë rrumbullake
Mos je sarandjote
Apo je durrsake.

Më dogji sevdaja
Moj lulja në male
Mos je nga Himara
A Malsi e Madhe.

Këtë fat e prisja
Të merja për fare
Se ti mbi të gjitha
Je vajzë shqipëtare.

….. Adem Nuhaj ….

Shpërndaje në facebook: