November 21, 2024

Dimrin në behar e ktheje – Një lule , mjaltin në petla. Kërkoja , kishja dëshirë. Lartë në male unë e gjeta. Majë shkëmbit , kishte mbirë.

Dimrin në behar e ktheje …..

Një lule , mjaltin në petla
Kërkoja , kishja dëshirë
Lartë në male unë e gjeta
Majë shkëmbit , kishte mbirë.

Ishte rritur plotë me ngjyra
Në ato malet e serta
E kishte bërë vetë natyra
Si lulet , që kullotë bleta.

Kishte pirë ujë në burime
Nëpër gurra , në lugina
Aroma erë trendeline
Mbyste gërxhe , përcëllima.

Rritur me flladin e malit
Lagur nga vesa e natës
Ushqyer me bylmet të stanit
Me gjalpë dhe me djathë të napës.

Ishte lulja , që kërkoja
Që të më hiqte marazet
Ajo vajzë , që dashuroja
Sevdaja për të nuk ndalet.

Dimrin në behar e ktheje
Moj lulja rritur në strall
Dhe bajamet i gënjeje
Lule celnin nē janar.

Dritë e syrit , si cikë stralli
Shigjetë në zëmër më vinte
Sa dhe akulli te zalli
Nga rrezet e tua shkrinte.

Buzët këngën kur këndonin
Thëllëzat mbanin sehirë
Bilbilat këngën pushonin
Kënga jote më e mirë.

Mbi sy baluket e ballit
Faqja e kuqe të piqte
Hëna rrinte mbrapa malit
Nuk dilte , sa ti të ikje.

Cdo ditë zoti dhe natyra
Bukurin te ty e derdhte
Të ndrinte , qeshte fytyra
Ndaj dhe më bëre për vete.

….. Adem Nuhaj …..

Shpërndaje në facebook: