November 21, 2024

Xixëllonjë mbi bar – I ulur mbi ledh. Duke pirë cigar. Të shikoj kur bredh Xixëllonjë mbi bar.

Xixëllonjë mbi bar ……

I ulur mbi ledh
Duke pirë cigar
Të shikoj kur bredh
Xixëllonjë mbi bar.

Në netët me hënë
Ti si ylli ndrin
Me flokët argjënd
Ngjyrë trendelin.

Mbi bar nē livadhe
Vetëm ti me Hënën
Mos ishe sorkadhe
Kur më hidhje këmbën.

Nga syri i shkruar
Një rreze të dilte
Hēna e ndricuar
Te mua e binte.

Ai fllad i malit
Cigaren me fikte
Si cika e strrallit
Syri ytë e ndizte.

Hëna dal nga dal
Po na linte vetëm
Sytë që kishin mall
Njëri tjetërin gjetën.

Dhe pse Hëna ikte
Kaptoi përmbi krua
Nata prapë ndrinte
Nga faqet e tua.

Dal nga dal filloj
Dhe vesa të binte
Dot s’po e dalloj
Trupi pse mbërdhinte.

Mos ish dashuria
Që mua më zuri
Dhe ethet e gushtit
Te mua i pruri.

Gjunjët s’po më mbanin
Po më digjej trupi
Syri që ndrin malin
Shigjetat mi futi.

….. Adem Nuhaj ….

Shpërndaje në facebook: