November 24, 2024

Të zuri bora në brinjë – Te pylli ku mblidhje shkarpa. Flokë bore përmbi gjinjë. Binin, shkrinin, si nga vapa.

Të zuri bora në brinjë ….

Të zuri bora në brinjë
Te pylli ku mblidhje shkarpa
Flokë bore përmbi gjinjë
Binin , shkrinin , si nga vapa.

Te binin në kraharor
Sikur binin manushaqe
Binte bora mbi dëbor
Kur të binte përmbi faqe.

Dhe mbi flokun trendelin
Flokë dëbore të binin
Qerpiku të mbronte syn
Flokë bore mos të vinin.

Dëbora sa vjen e shtohet
Edhe nata po afron
Gjurma jote më s’dallohet
Se dëbora e mbulon.

Hajde moj mike te tënda
Se rrugët të janë bllokuar
Mos ki frikë , po hajde brënda
Gunë e shark i kamë shtruar.

Hajde lart moj e uruar
Se je lagur dhe do ftohesh
Të ta shkund flokun me duar
Dhe ti , te mua të ngrohesh.

Hajde të të mbaj në gji
Se je lule në të rritur
Sa të thahesh , ngrohesh ti
Dëbora do të ket ikur.

Qeshi buza , mu drodh zëmra
Dhe syri nuk po besonte
Kur erdhe hyre te tënda
Më the , këtu do rri sonte.

Dëborën unë e urova
Që në korije të zuri
Moj sorkadhe qafë holla
Edhe te mua të pruri.

….. Adem Nuhaj …

Shpërndaje në facebook: