November 21, 2024

O bilbil i malit – Sa bukur këndojnë. Bilbilat në male. Nga gjumi më zgjojnë. Dhe dalē në dritare.

O bilbil i malit …..

Sa bukur këndojnë
Bilbilat në male
Nga gjumi më zgjojnë
Dhe dalē në dritare.

O moj dritë e hënës
O ylli mbi yje
Zëri im i këngës
Është midis tyre.

Kur këndojnë mbi krua
Mbi degët e blirit
Pse një këngē mua
Më hynë brënda gjirit.

Unë i thashë bilbilit
Këngën ta marë vet
Prandaj brënda gjirit
Ty zjarri të djeg.

Mora në mëngjes
Lart rrugës së pyllit
Mbi barin me vesë
Pas zërit t’bilbilit.

Hajde vajzē hajde
Te shkëmbi mbi krua
Te një derë vathe
Do më gjeshë mua.

E kapur në ethe
Rrugën unë e mora
Ndjeva erë eshke
Dhe binte këmbora.

Aty rrëzë një hije
Është dashi manar
Eshka që erë bie
Ndeza unë cigar.

Kur ty të mendoj
Si zog hidhet zëmra
Mezi po duroj
Kur do vijë te tënda.

O moj vajzë syshkruar
Që po vjen në brinjë
Shark dhe gun kamë shtruar
Dhe mish të kërthinjë.

O bilbil i malit
Që më pret në stane
Te cepi fustanit
Ke arrë dhe bajame.

Moj sorkadhe stralli
Moj flutur mbi lule
Po mē digjet xhani
Nga zjarri që prure.

….. Adem Nuhaj …..

Shpërndaje në facebook: