November 21, 2024

Qan zemra, qan syri. “Qajnë shamizezat nëna, në çdo skaj të Shqipërisë…”

Qan zemra, qan syri.

Sikur toka të na thoshte
Sa filiza, mbjell çdo ditë
Çdo gjini e çdo lloj moshe
Nga të shkretat tragjeditë.

Dhe ate detin me valë
Me dhimbje ta pyes nëna
Ai s’do thosh asnjë fjalë
Se nuk di sa jetë ka brenda.

Qajnë shamizezat nëna
Në çdo skaj të Shqipërisë
Copa-copa bërë zemra
U shua pragu shtëpisë.

Lotët neve na u shterën
Detin e mbushëm me lule
Djali spo e hap më derën
Shtëpia mbeti pa nuse.

Mbushur deti manushaqe
Cep më cep, e anë e mbanë
Për djemtë pa venë brisk në faqe
Për vajzat pa vënë kenanë.

Rrugët e tokës, rrugët e detit
Sa shumë jetë që na kanë marrë
Nisur nga fëmijët e djepit
Nëna, motra, baballarë.

…. Adem Nuhaj…
.. Metoh-Mallakastër..

Shpërndaje në facebook: