November 21, 2024

Më mungon – Më mungon portreti yt, veshur me rroba të thjeshta.Më mungojnë ata dy sytë, dhe balli lagur nga djersa..

Më mungon…….

Më mungon portreti yt
Veshur me rroba të thjeshta
Më mungojnë ata dy sytë
Dhe balli lagur nga djersa.

Më mungojnë ato dy duar
Kur në gjumë më ledhatonin
Bashkë me shpirtin e kulluar
Shpirt e zemër ma shëronin.

Më mungon mbrëmja, kur vinte
Në atë dimrin e ftohtë
Gjumi mua kur më zinte
Në prehrin tënd të ngrohtë.

Më mungojnë fjalët e ëmbla
Edhe dashuria jote
Që dilnin thellë nga zemra
Thesaret e kësaj bote.

Më mungon një fjalë malli
Që më thërriste dikur
Dhe një dorë e butë te balli
Kur unë isha i sëmurë.

Më mungon puthja te balli
Me aq mall e dashuri
Ndihesha si sorkadh mali
Nga puthja qe jepje ti.

Më mungon si dritë e Hënës
Kur në horizont perëndon
Kjo është mungesa e nënës
Kur syri nuk e shikon.

… Adem Nuhaj…

Shpërndaje në facebook: