November 21, 2024

Kënga labe – Kur dalë nëpër male.Kur dalë nëpër gryka. Dëgjoj këngë labe. Që vijnë nga tradita.

Kënga labe ….

Kur dalë nëpër male
Kur dalë nëpër gryka
Dëgjoj këngë labe
Që vijnë nga tradita.

Sepse kënga labe
Këndon dhe në vaj
Prandaj e dëgjoj
Dhe kur unë qaj.

Dhe kur kam maraze
Kur e keqa vjen
Dëgjoj këngë labe
Ajo më dëfren.

Është kënga labe
Si mal me burime
Brënda sajë gjen halle
Por gjen dhe gëzime.

Ajo kur këndohet
Të ngreh dhe nga varri
Në iso bashkohet
Fusha edhe mali.

Buron si burimi
Në gjithë Labërin
Sa edhe bilbili
Shumë i ka zilin.

Buron thellë nga zëmra
Melodi e këngës
Zjarr të ndez nga brënda
Se është këngë e nënës.

Si dallgët e detit
Përplaset në male
Si rrezet e diellit
Të ngroh kënga labe.

Mjaltë i ka fjalët
Dhe si mjaltë buron
Ajo të mbyll plagët
Xhanin ta shëron.

Është rritur në male
Atje midis lulesh
Ajo kënga labe
Të ngreh , kur sëmuresh.

Është kurim i shpirtit
Ilac mbi ilac
Ndaj gjatë shtegëtimit
Me vete ta mbash.

….. Adem Nuhaj ….

Shpërndaje në facebook: