December 3, 2024

Bujkeshë, të zuri dëbora – Adem Nuhaj

Bujkeshë , të zuri dëbora ……

Bujkeshë , të zuri dëbora
Në ato vëndet e serta
Në tëndën time të mora
Të gostita , ajkë nga bejka.

Syri im , me bisht të shihnte
Atë gjoksin tënd të zbardhur
Si bora , që sapo binte
Si , djathi në napë varur.

Qerpik hollë , si gjëmb dëllënje
Rreth e rreth syrit të shkruar
Vetullat , si gjysëm Hëne
Flok bore kishin qëndruar.

Të dy loznim edhe qeshnim
Gjumi neve s’po na zinte
Mali , kodra , pylli heshtnin
Mbi tëndën , dëbora binte.

Vath e dhënve gumëzhonte
Me zëra tinguj këmbore
Në streh , të tëndës këndonte
Një i vogël , zog dëbore.

Mbi atë sharkun e shtruar
Hanim , pinim dhe këndonim
Dëbora kishte pushuar
Zogjtë filluan të cicëronin.

Buzët loznin nëpër faqe
Dielli kishte hyrë , tek dera
Çelën lule , manushaqe
Dukej po vinte pranvera.

U zgjuan dhe sythet e pyllit
Hapeshin dhe dilnin gjethe
Filloj kënga e bilbilit
Që , ishte sevda më vete.

Dimri , iku dhe s’e ndiem
Ishim bashkë dhe s’e ndiem fare
Si , dy zogjë ngritëm folen
Tek tënda , atje në male.

Si , flladi mbi bar e pyje
Dallandyshet prapë erdhën
I gjetën folet e tyre
Me këngë dhe gëzim u derdhën.

……. Adem Nuhaj …..

Shpërndaje në facebook: