November 21, 2024

Vito, mëndjen seç ma more – Adem Nuhaj

…… Vito , mëndjen seç ma more …….

Mbi lule , si flutur dukesh
Shkëlqen , si margaritar
Dhe nëpër dete , kur futesh
Rrëshket , më dukesh , si ngjal.

Në pyll , më dukesh kunadhe
Me flokun , si dyll i verdh
Përmbi shkëmb , më je sorkadhe
Natën , sikur Hëna del.

Ngado ty , të shkelë këmba
Vëndin me nur e mbulon
Zilin ta ka dhe thëllëza
Gërxheve , kur ti këndon.

Ti je ylli , ti je drita
Kush të sheh , çapat ndalon
Dhe nepërka pika – pika
Del mbi gur e të shikon.

Dhe bleta , kur mjaltin mbledh
Nëpër blir e mbi rigon
Syrin nga ty , herë e hedh
Se , buza mjaltë të buron.

Vito , mëndjen seç ma more
Kur , më lozje në lëndin
O moj , shelegia milore
Më bënë sytë , a ishie tin.

Zogëz , do të vij pas darke
Se , tek ty mëndja më humbi
O moj ti , ftuja motake
Gushë bardhë , si gushë pllumbi.

Do të vij e do të ngas
Moj lulja e jaseminës
Në penxhere , do trokas
Se , je erë e trendelinës.

Me ato lajkat e mia
Do të zgjoj , syrin e fjetur
Aty , ku fle dashuria
Tek syri , ulli i pjekur.

Do të hyj , si një fajkua
Aty , ku bënë gjumin tinë
Të zgjohen ndjenjat e tua
Të ndizet zjarri në gjinjë.

……. Adem Nuhaj …….

Shpërndaje në facebook: