November 21, 2024

Do vete , se ma do xhani – Adem Nuhaj

……….. Do vete , se ma do xhani ………

Do vete , se ma do xhani
Ku burojnë , ata kroje
Ku , nga lulet , që ka mali
Mjalti buron nëpër hoje.

Me këmbë do të shkel livadhet
Do pi ujë , në ato rreza
Atje , ku kanë pirë sorkadhet
Ku , ka lënë gjurmën thëllëza.

Do notoj nëpër lëndina
Të mbytem në ato lule
Ku , të mbytë trendelina
Të dëgjoj dhe tinguj cule.

Nëpër brigje dhe korie
Ku , dhëntë mbyten nga tërfili
Do rri , nën lisa në hije
Në gjumë , të më vëj bilbili.

Lartë në stane do të ngulem
Do të shtroj , shark edhe gunë
Tek gur i shtruges , do ulem
Do t’i mbushë vedrat me shkumë.

Në ata shtigjet e dhive
Ma ka ënda të kaloj
Të degjoj këmborë dhe zile
Dhe , me barinjtë të këndoj.

Do vete , se ma do xhani
Në ato trojet e mia
Ku , guri tretet nga malli
Ku , më pretë vllazëria.

Do vete , të shuaj mall
Të pi ujë prej asaj shtëme
Të pi një çanak me dhall
Nga dybeku prej dëllënje.

Pranë vatres , do vë kokën
Do marë shtresat nga musëndra
Si dikur , kur ngrinte sofrën
Dhe në gjumë , më vinte nëna.

Të shuaj mallin brënda gjirit
Se , po tretem prej merakut
Të ndjej aromën e hirit
Dhe të ngrohem , pranë oxhakut.

………… Adem Nuhaj ………..

Shpërndaje në facebook: