May 19, 2025

Shiu vjeshtak në mal të zuri – Adem Nuhaj

couple-date-picnic-romantic-4873421

…….. Shiu vjeshtak në mal të zuri …….

Shiu vjeshtak në mal të zuri
Moj flokë verdha trendelinë
Rruga tek mua të pruri
Tek tënda ime në brinjë.

Pikë e shiut të kullonte
Nëpër flokë mbi gjirin tënd
Aty mblidhej dhe formonte
Një ujvarë , si lartë mbi shkëmb.

U ngrita dhe mblodha shkarpa
Tek tënda zjarrin e ndeza
Atë flokun tënd e thava
Dhe me dorë , të përkëdhelja.

Ndriti tënda , kur më erdhe
Zjarri po më digjte gjinë
Se , dhe ti zjarrin e ndeze
Zjarr , që ndezi dashurinë.

Me djathë nape të gostita
Lajthi , mbledhur në përrua
Si mbretëreshë të prita
Ti , më dhe buzët e tua.

Buzët , që zjarri i digjte
Digjte dhe buzët e mia
Ai zjarr nga zëmra dilte
Nga buronte dashuria.

Për të fjetur , ramë mbi sharkë
Që , për ty e kisha shtruar
Ashtu , të dy në një shtratë
Me një gunë për t’u mbuluar.

Flije përmbi gjirin tim
Si një lule përmbi shkëmb
Edhe unë e mbylla syn
Ì mbuluar me flokun tënd.

…….. Adem Nuhaj ……..

Shpërndaje në facebook: