December 3, 2024

Të shuaj mall për vëndin tim – Adem Nuhaj

……… Të shuaj mall për vëndin tim ………

Më ka marë malli shumë
Për ato vëndet e mia
Ku , gurrat burojnë , si lum
Ku , kullotë bagëtia.

Për ata lisat e gjatë
Për atë rrënjë lajthie
Për sorkadhen gjafë gjatë
Ta shoh , kur loz ne korie.

Të dalë në ato lëndina
Dhe gjumin ta bëjë mbi lule
Të më mbytë trendelina
Të ngopem me tinguj cule.

Sa , shumë malli më ka marë
Të dëgjoj zile , këmborë
Të loz më qëngjin manar
Të shikoj dashin përçor.

Të bredhë në sheshe tërfili
Ujë të pi , në gryka rrëza
Në këngë të më marë bilbili
Të hedhë vallen me thëllëza.

T’i ngjitem rrugës së malit
Lehtë , lehtë , të marë një këngë
Mbi sup , gunën e çobanit
Dhe djersën ta fshij me mëngë.

Të dalë në majat e larta
Ku , shkëmbi formon brezare
Nëpër pyje të bëjë shkarpa
Të ngarkoj mushkën xanxare.

Të shkoj në rrugën e dhive
Përmbi kokë , kurorë me dushkë
T’i shkelë të gjithë ata shtigje
Dhe të pi ujë në një çurkë.

Të shikoj gjithë ato vënde
Të shohë Diellin në perëndim
Nën dritën e asaj Hëne
Të shuaj mall për vëndin tim.

………. Adem Nuhaj ……..

Shpërndaje në facebook: