O Lefter , Lefter i këngës – Adem Nuhaj
…….. O Lefter , Lefter i këngës ……..
Përmbi Pilur dhe Himarë
Ka qëndruar Dielli dhe Hëna
Po , pyesin lulet me radhë
Po , ku është ky Lefter kënga.
Pyet bejka, shaminë mbi ball
Kuacën e kuqe manare
Ku është Lefter Çipa vall
Që , ne na pruri në vargje.
Pyet thëllëza , larë në djersë
Faqe kuqen , tek burimi
Ku është princi epopesë
Ku është Lefter bilbili.
Pyesin lulet nëpër degë
Dhe manushaqet në ferra
Ku je , o poet strategë
O Lefter Çipa pranvera.
Lisave derdhur hardhia
Në çdo gjethe , pikon loti
Ku është Lefter poezia
Ai bilbil pilurioti.
Deti shkëmbin e godet
Mali me lule rënkon
Për poetin , që s’po flet
Por , në këngë po ligjëron.
Dhe shqiponja në flamur
Sikur do , të thot një fjalë
Ku je , o i imti burr
Që peshoje , sa një mal.
O Lefter , Lefter i këngës
Do mbetesh lule lëndine
Mbështetur në gji të nënës
Nëpër këngë dhe ligjërime.
……… Adem Nuhaj ………