November 21, 2024

Ti , më erdhe duke qeshur – Adem Nuhaj

……… Ti , më erdhe duke qeshur ………

Anë e mbanë lulet kanë çelur
Bari në lëndina mbirë
Hajde moj gërshetadredhur
Të dalim , të bëjmë sehirë.

Të dalim nëpër livadhe
Të rrimë mbi lule tërfili
Të rrimë nën një degë thane
Ku , mbi kokë këndon bilbili.

Të gjezdisim gryka , rrëza
Nëpër brinja dhe korie
Ku , me këngë na pretë thëllëza
Të mbledhim kokrra lajthie.

Se , unë syrin , kur ta pashë
Në merak të madh më fute
Prandaj them , të ikim bashkë
Pa ty këmba s’më bënë tutje.

Pa shiko , moj shpirt o xhan
Sa , i bukur gjelbërimi
T’i biemë dhe dalim matan
Të pimë ujë bashkë tek burimi.

Të shikojmë lulet në mal
Plot me ngjyrat e ylberit
Tutje mbi detin me valë
Sa , bukur perëndim i diellit.

Të shikojmë gjysmën e Hënës
Kur , del dhe futet mbi retë
Moj flokë ngjyra e gështënjës
Gjysma tjetër , je ti vetë.

Hajde moj të ardhtë gjëma
Zgjidhi , çoj ato gërsheta
T’i hapim , t’i bëjmë si tënda
Mos të lagemi nga vesa.

Ti , më erdhe duke qeshur
Beharin të gjithë ma prure
Në lëndinë ramë për të fjetur
S’ka më mirë të fleshë mbi lule.

…………. Adem Nuhaj …………

Shpërndaje në facebook: