December 3, 2024

Zjarr në gji më ndeze- Adem Nuhaj

………. Zjarr në gji më ndeze ………

Si , gjurmë e thëllëzëz
Shesheve tërfilit
Mbeste gjurma jote
Mbi vesën e Prillit.

Në faqen e malit
Mblidhje manushaqe
Fundin e fustanit
Vesa ty ta lagëte.

Ì verdhë , floku tundej
Ledhatonte gjinë
Trupi yt më dukej
Ylber mbi lëndinë.

E hollë , si llaskonja
Ç’trup , që kishe hedhur
Buzët ujë të njohma
Gonxhe porsaçelur.

Në gërxhe , çakule
Aromë kundërmonte
Nxirnin ato lule?
Apo gusha jote ?!!!

Me sy dhe me vetull
Zbukuron zabelin
Dhe sythat e fjetur
Filluan , që të çelin.

Me bukurinë tënde
Vanë mëndë e mia
S ‘ndalet dot ç’më bëre
As nga perëndia.

Zjarr në gji më ndeze
Zemra po gufon
U mbyta në ethe
Veç ti më shëron.

Doktor , jo nuk dua
S ‘më bënë gjë kurimi
Veç buzët e tua
Ato janë shërimi.

……… Adem Nuhaj ………

Shpërndaje në facebook: