May 17, 2024

Nëpër brinja kishe dalë – Adem Nuhaj

……… Nëpër brinja kishe dalë ……..

Mike moj , flokë gështënja
Lëshuar binte gjerë në mes
Përmbi bar të shkelte këmba
Vëzhdagën linte mbi vesë.

Vetullat bërë , si me dorë
Syri , si rrushë serine
Gusha zbardhonte , si borë
Mbante aromë trendeline.

Nëpër brinja kishe dalë
Në saba , po mblidhje shkarpa
Moj e bukura , si ngjalë
Një nishan kishe tek faqa.

Zbrite dhe re poshtë në krua
Gërxheve u rrutullove
Me ato këngët e tua
Thëllëzat nga gjumi zgjove.

Zgjove dhe ngrite bilbilat
Këngën ata e filluan
Dy nga dy u bënë bandillat
Ata nga ty u marruan.

Nga sevdaja t’u afrova
Më afër , më shumë nga shokët
Lule mali të dhurova
Lehtë , lehtë të preka flokët.

Mbi mua shikimin trete
Thashë , mos kisha rënë mbi prushë
Kur tek unë , ti u mbështete
Të putha faqe dhe gushë.

Nëpër brinja , nëpër gërxhe
Ìku dita , pa u ndier
Bukuri e asaj Hëne
Majava , sa kishte lar.

Ajo Hëna rrumbullake
Vinte ashtu , si me nge
Kaloi male , monopate
Dhe u bë shoqe me ne.

………… Adem Nuhaj …………

Shpërndaje në facebook: