November 21, 2024

Erdhi mikja dhe më tha – Adem Nuhaj

….. Erdhi mikja dhe më tha ……

Ì çova dhëntë nga mali
Nga buzëqeshte trendelina
Në gju kishte vajtur bari
Aromë lulesh nga dafina.

Këmborët ndezën kabanë
Shqerrat loznin plot me gaz
Dhe balua u mbante kra’n
Gumeni vinte nga pas.

Torbën me djathë , kos e bukë
Unë e mbaja në një krah
Në xhep duhan , eshkë , çibuk
Bërë një qeskë me mushama.

Ngrita tëndën , ku ish bliri
Atje , në një grykë vali
Ku , gurgullonte burimi
Me ujë të ftohtë , si kristali.

Vendosa dy gurë dhe shkarpa
Ndërtova shtrugën për dhëntë
Mikja tha , kur të bjer darka
Do të vij , po lidhi qëntë.

Mikja , që e doja shumë
Më dha fjalë dhe i dhashë besë
Ndaj do të shtroj shark dhe gunë
Miken tek tënda do presë.

S’më harrohet kurrë vërria
Mikja më lajkoste mua
Atje lindi dashuria
Por , në mal më shumë u shtua.

Erdhi mikja dhe më tha
Do të rri me ty tek stani
Erdha të më mbashë në krah
S’kalohet vetëm behari.

Bridhnim , loznim nëpër lule
Sorkadhet mbi shkëmb shikonin
Mernim këngë me tinguj cule
Bilbilat na shoqëronin.

………… Adem Nuhaj …………

Shpërndaje në facebook: